Kultura dhe Sporti

Përkujtimi i ngritjes së flamurit në Deçiq

Kjo veprimtari kulturore-historike zhvillohet me datën 6 prill në fshatin piktoresk të Hotit në Njësinë Administrative Kastrat pranë Lapidarit të Dedë Gjo Lulit. Marrin pjesë autoritetet vendore të cilët vendosin kurora me lule pranë Lapidarit dhe në mënyrë simbolike bëhet ngritja e flamurit nga Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe. Më pas historianë Malësorë por edhe të ftuar kumtojnë për ngjarjen e vitit 1911.

Pas kësaj ceremonie, programi artistik fillon me këngën “Maje Krahut” e cila njihet si tradicionale tipike e zones sonë si dhe këngë me lahutë e çifteli me këngëtarë nga Malësia e Madhe dhe më gjërë si dhe valle tradicionale.

 

Dita e Turizmit Malor.

Ky aktivitet është risi në Malësi të Madhe iniciuar nga Kryetari i Bashkisë z.Tonin Marinaj në vitin 2015 dhe që nga ky vit ky aktivitet organizohet çdo vit në fshatra të ndryshme Malore që njihen për bukurinë natyrore dhe vlerat kultuore e gastronomike.

Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i turizmit malor në Malësinë e Madhe duke nxjerrë në pah shumë atraksione që ka zona jonë. Ky aktivitet është i ndërthurur mes panairit të ushqimit dhe produkteve tradicionale të zones si dhe koncertit artistik me humor, këngë dhe valle tradicionale dhe moderne.

 Logu i Bjeshkëve

Logu i Bjeshkëve zhvillohet që nga viti 1998 të dielen e parë të muajit Gusht në fshatin Lëpushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit. Në këtë manifestim vajzat nga Malësia e Madhe dhe më gjërë të veshura me kostume tradicionale konkurojnë për të qenë më e bukura e Bjeshkëve, për të fituar kurorën  “Miss Bjeshka”. Ky është një rast shumë i mirë që ju të njiheni me veshjen tradicionale shekullore “Xhubleta” një pasuri e paçmuar e etnografisë Shqiptare. Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa si të dielave në Kishë. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo , vishej, sillej, ecte, këndonte. Dikur logu kishte  karakter fetar ajo zhvillohej ditën e Shna Prendes , në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë  ka marr emrin “Logu i Bjeshkeve”. Ndër vite në Malësi të Madhe ka ekzistuar një “log” që në ato kohëra quhej ‘Logu i Nuseve’ ,ky “log” filloi në kishat kryesore. Nuset merrnin pjesë nga të gjitha fshatrat përreth kishës kryesore dhe udhëtonin disa orë për të arritur në meshë. Pas meshës të gjithë banorët e fshatrave organizonin një spektakël që në këtë zonë quhet: ”log”, një fushë ku mblidheshin të gjithë banorët e fshatrave për të parë nuset e atij viti që ishin martuar në këto fshatra dhe për të përzgjedhur më të bukurën.

Në vitin 1998 kjo traditë mbarë Malësore filloi në mënyrë të organizuar në Kelmend me emrin “Logu i Bjeshkëve” ku tashmë nuk janë nuset por vajzat e fshatrave që marrin pjesë në këtë konkurs jo vetëm bukurie dhe përzgjidhet më e bukura. Në këtë konkurs bukurie tradicionale marrin pjesë nga e gjithë Shqipëria dhe nga diaspora, emigrantë dhe turistë, gjithashtu konkurojnë  edhe bukuroshe nga krahina të tjera si: Vuthajt dhe Rugova kryesisht. Secila trevë përfaqësohet me veshjen e vet popullore karakteristike. “Logu” ka mbi të gjitha një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore pasi shfaqet përveç bukurisë edhe trashëgimia kulturore e trevës, veshjet karakteristike, vallet, këngët, instrumentet, lojërat popullore etj.

 

Festa e Reçit

Ky aktivitet organizohet në përkujtim të luftës nacional-çlirimtare 30-31 gusht 1943 në Reç në nder të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

Në fillim bëhet vendosja e kurorave nga autoritetet vendore, familjet e dëshmorëve dhe familjet e veteraneve pranë lapidarit kushtur “Luftsës së Reçit” në fshatin Reç. Pas vendosjes së kurorave kryhen vizita në familjet e dëshmorëve.

Pas ceremonise zyrtare të përkujtimit të dëshmorëve, në sheshin e gështenjave në tribunen e festes së Reçit ndërtuar shumë vite më pare, zhvillohet koncerti artistik, ku janë të ftuar shumë artistë nga Malësia e Madhe dhe gjithe trevat shqip-folëse. Në koncertin artistik marrin pjesë mijëra banorë nga Malësia e Madhe, Shkodra dhe më gjërë.

Festa e Reçit është një ndër festat më popullore dhe ndër më të frekuentuarat në Veri të Shqipërisë, e cila zhvillohet në Reç, të dielen e fundit të Gushtit ose të dielen e pare të muajit shtator.