-
- 08 Jul
Thirrje për aplikime- “Logu i Bjeshkëve”
Bashkia Malësi e Madhe shpall ftesë të hapur për organizmin e aktivitetit “Logu i Bjeshkëve”.
Përshkrimi i projektit:
Ky projekt ka si qëllim kryesor mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore materiale dhe jo materiale duke i kushtuar vëmendje të veçantë etnografisë sidomos xhubletës, instrumenteve shekullore të zonës sonë, këngëve të traditës, ritualit të lashtë të zgjedhjes së nuses më të bukur të krahinës, valleve tradicionale, pasqyrimin më të gjërë të të gjitha gjinive të folklorit dhe vlerave të tij, evidentimin e krijimeve folklorike, krijimeve që lidhen me festat tradicionale popullore dhe ato me karakter ritual, si dhe risjelljen në vëmendje të krijimeve dhe ritualeve të lashta.
- Aktivitetet kryesore
- Këngë tradicionale folklorike, popullore
- Konkursi i vajzave “Mis Bjeshka”
- Valle, kërcime tradicionale
- Lojëra popullore
- Melodi nga instrumente shekullore (lahutë, çifteli, fyell, gjeth etj)
- Këngë akapelo
- Rituale të lashta
Qëllimi i projektit:
Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale të Malësisë së Madhe.
Aplikimi:
- Të drejtën për të aplikuar e kanë:
- a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko-kulturore;
- Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
- Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore.
Nuk mund të aplikojnë:
Personat juridikë publikë që përfaqësojnë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, qëndrore ose vendore, që vetfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.
Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:
Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 08.07.2024
Data e fundit e aplikimeve 22.07.2024
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Malësi e Madhe do të mblidhet me datën 24.07.2024
Shpallja e fituesit do të bëhet me datë 25.07.2024
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Malësi e Madhe.
Dorëzimi i dokumentacionit:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë në dy kopje origjinale dhe dy fotokopje projektin dhe dokumentat e tjera të kërkuara tek Zyra e Protokollit, pranë Bashkisë Malësi e Madhe, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.
Fondi limit me TVSH është 1,500,000 lekë me TVSH
Fondi limit pa TVSH është 1,250,000 lekë pa TVSH
Data e organizimit të aktivitetit është data 11 gusht 2024 në Qafë të Predelecit, Lëpushë, Kelmend. Mund të shtyhet në rast se parashikohet mot me reshje dhe stuhi.(Shtyrja e datës ose planifikimi i një date tjetër bëhet vetëm nga Drejtoria e Kulturës pranë bashkisë Malësi e Madhe.)
Kriteret e kërkuara:
Operatori që merr përsipër realizimin e aktivitetit Logu i Bjeshkëve, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve të këtij lloji.
Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla.
Vlerësohet cilësia artistiko – kulturore e projektit.
Specifika të tjera për organizimin e aktivitetit “Logu i Bjeshkëve”:
Subjekti të marrë përsipër realizimin me cilësi të aktivitetit tradicional-kulturor:”Logu i Bjeshkëve 2024” me një programacion të pasur artistik të paktën 120 minuta, duke marrë përsipër të sigurojë realizimin e zërave të mëposhtëm:
- Në këtë aktivitet të ketë Skenë me këto parametra: (Minimumi Gjërësi 8m x thellësi 4 m x lartësi 1 m gjithashtu të ketë edhe tre kolona, 2 vertikal një horizontal për të vendosur banderolën, kolonat vertikal të jenë 3 m lartësi ndërsa kolona horizontal të jetë sa gjërësia e skenës minimumi 8m) Sipërfaqja e skenës e zezë e gomuar, me shkallë. Skena në të gjitha anët e dukshme të saj të jetë e mbuluar me copë të zezë.
- Të ketë Foni Profesionale me këto parametra: (Të jetë e përshtatshme për ambiente të jashtme, për muzikë live dhe interpretime Live. Të mbulojë një hapësirë të jashtme mbi 10,000 m2. Të ketë të pakten 5 mikrofona valor, 5 mikrofona me stativë profesional, që trasnmetojnë zërin pastër, pa interferime, pa zhurmë.)
- Dekor Tradicional sipas këtij përshkrimi:(Të vërë në dispozicion të paktën 50 karrige për të ftuarit si dhe të përgatitë strehë për mbrojtjen nga dielli e harmonizuar me natyrën ku zhvillohet Eventi. Gjithashtu të krijojë një kënd dekorativ me motive tradicionale për grupin artistik dhe për vajzat konkurente në ”Mis Bjeshka”.Dekori të jetë me mbulesë për diellin, të ketë stolë/karrige tradicionale, sofër, qilimë dhe elementë të tjerë tradicionalë të Malësisë së Madhe)
- Të marrë përsipër që në bashkëpunim me vajzat pjesëmarrëse në konkursin ”Mis Bjeshka” të zgjedhë sipas përmasave fizike të vajzave, xhubleta origjinale nusesh të trashëguara nga brezat dhe të plotësuara me të gjitha aksesorët që i duhen xhubletës. T’i kushtohet një rëndësi e veçantë përzgjedhjes së xhubletave sepse është edhe elementi kryesor i aktivitetit ”Logu i Bjeshkëve”. Xhubletat pranohen vetëm me karakteristikat e Malësisë së Madhe.
- Kostume kombëtare për meshkuj. Të jenë në dispozicion të grupit artistik të paktën 5 kostume kombëtare me karakteristikat e Veriut/Malësisë së Madhe për meshkuj
- Punim Artistik-Artizanal i Mbishkrimit ”Logu i Bjeshkëve” i cili do të montohet në skenë (Punimi i shkronjave të mbishkrimit të jetë druri ose derivate të drurit dhe në total ky mbishkrim të jetë të paktën në këto përmasa: Lartësi 50 cm gjërësi 3m.
- Dizenjim dhe shërbim printimi për 5 certifikata për çmimet, 15-20 numra rendor në formë rrethore për vajzat konkurente.100 ftesa në format 17,5 cm me 12,5 cm)
- Kurorë Misi (Kurorë Misi ( metalike ngjyrë argjendi ose gold me gurë të shkëlqyeshëm, pjesa ballore më e lartë)
- Buqeta me lule (5 buqeta të kompozuara në mënyrë të tillë që të krijohet idea e një buqete lulesh të mbledhura në bjeshkë)
- Shirita Misi (me copë të bardhë me shiritë të kuqë anash, me thurje gold mes pjesës së kuqe dhe copës së bardhë. Mbishkrimi i titujve të çmimeve të jetë me qëndisje me ngjyrë të kuqe)
- Transport për vajzat (Koplik – Qafë e Predelecit – Koplik për 10-15 vajza për 3 ditë prova + 1 ditën e aktivitetit)
- Transport për grupin artistik (Koplik – Qafë e Predelecit – Koplik për 10-15 persona të grupit artistik në datën e aktivitetit.
- Akomodim në hotel + ushqim për grupin realizues (3-5 persona) për 2 netë.
- Të marrë përsipër të shpërblejë financiarisht vajzat fituese të konkursit sipas ndarjes së çmimeve: Çmimi i I -rë, Çmimi i II-të, Çmimi i III-të, nëse juria vendos për të shtuar edhe dy çmime të tjera preferohet që subjekti të shtojë edhe dy çmime të tjera.
Të përfshijë dhe të krijojë mundësitë për pjesëmarrjen e një grupi artistik cilësor me karakter të qartë folklorik-tradicional.
- Valltar të paktën 4 çifte djem & vajza, të cilët interpretojnë valle tradicionale dhe kërcime të Malësisë së Madhe.(duhet të jenë të veshur me veshje popullore, kostume kombëtare, të krahinës sonë.)
- Lahutar (të paktën 2-3 lahutar të Malësisë së Madhe)
- Interpretues me çifteli (të paktën 1-3 këngëtar ose instrumentistë me çifteli)
- Instrumentistë me fyell, gjeth etj. Performimi i këtyre instrumentëve të bëhet Live në aktivitet.(të paktën 2-3 instrumentistë)
- Interpretues të këngës “Maje Krahu” , këngës tradicionale të Malësisë së Madhe. (2 performues akapelo të cilët të këndojnë me mjeshtëri artistike këngën e traditës të Malësisë së Madhe ”Këngë maje krahu”.
- Këngëtarë të njohur të muzikës popullore – folklorike të Veriut. (të paktën 2-3 këngëtar)
- Artistë të zonës (të paktën 10 këngëtar, instrumentistë apo aktorë nga Malësia e Madhe.)
- Veshtare (gra të zonës të cilat dinë dhe kanë eksperiencë të ndihmojnë vajzat konkurente të veshin në mënyrën e duhur veshjen tradicionale të xhubletës së Malësisë së Madhe.)
- Floktore (gra të zonës të cilat kanë ushtruar stilimin tradicional të flokëve për vajzat të cilat veshin xhubletën)
- Spot reklamues i aktivitetit. Të jetë i ndërtuar në programet After Effects dhe Adobe Premiere pro ( 30 sec -59 sec. Spoti të ketë në audio background narrator (preferohet zë aktori ose personi me ekseperienë në leximin e spoteve, planet të jenë jo më të gjata se 3 sec dhe të shfaqin pamjet më të mira të marra nga edicionet e kaluara të Logut, gjithashtu të jenë të ndërthurura me pamje të bukura natyrore të Lëpushës/Kelmendit. Spoti të mbyllet me slogan dhe logon e bashkisë Malësi e Madhe.
- Filmim i plotë i aktivitetit (me cilësi 4K, të ketë Kran, Dron dhe dy kamera të tjera të lëvizhme)
- Video të shkurtëra 60 sekondshe, të filmuara dhe edituara profesionalisht, të gatshme për publikim në rrjetet sociale. Videot të përmbajnë planet më të bukura gjatë aktivitetit ”Logu i Bjeshkëve 2024” të ndërthurura me plane të bukurive natyrore të zonës ku zhvillohet aktiviteti.(të paktën 6 video të tilla format vertikal cilësi full hd)
- Fotografi Profesionale me cilësi Full Hd.
- Libret – Ku të përshkruhet qartë e gjithë struktura e programit nga hyrja deri në përfundim. Të ketë nuanca epike-lirike sidomos kur moderatori prezanton, etnografinë me xhubletë, lahutë, instrumentët dhe ritualet e lashta etj.
- Subjekti të marrë përsipër shpërblimin e anëtarëve të jurisë, të cilët do të zgjedhin fitueset e konkursit ”Mis Bjeshka” (Juria do të ketë 5-7 anëtarë)
Subjekti të formojë një grup realizues, kompetent dhe të aftë për organizimin e një aktiviteti të përmasave të mëdha.
- Drejtues Artistik – Person me eksperiencë, i aftë të drejtojë grupin artistik dhe pjestarët e tjerë të aktivitetit, dhe të krijojë para publikut një shfaqje të denjë që përfaqëson më së miri traditën e hershme të Logut të Malësisë së Madhe . Të realizojë me aftësi strukturën me detaje të programit.
- Koreograf – Njohës i mirë i valleve dhe kërcimeve tradicionale të Malësisë së Madhe.
- Etnograf/e (Njohës i mirë i etnografisë së Malësisë së Madhe, i cili, e cila është përgjegjës për përzgjedhjen me kujdes të xhubletave dhe elementëve të saj, duke respektuar trashëgiminë kulturore të zonës sonë.)
- Moderator me eksperiencë në moderimin e aktiviteteve të këtij lloji. (1 ose 2 persona)
Shënim: Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes banerave, mediave sociale, reklamave televizive etj. në koordinim me Drejtorinë e Kulturës, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Malësi e Madhe.
Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë e Kulturës. Subjekti në përfundim të aktivitetit të sjellë materiale foto/video, të cilat vërtetojnë zhvillimin e aktivitetit me cilësi dhe sipas kushteve të vendosura mes palëve.
Shkarko dokumentet e mëposhtme:
Preventiv për zërat që mbulon bashkia