Festa e Reçit

  • Festa e Reçit

    Festa e Reçit

    Me rastin e 73 vjetorit të luftës heroike në fshatin Reç bashkia Malësi e Madhe, përfaqësues të pushtetit vendor, organizata e veteranëve si dhe përfaqesues të partive politike kanë përkujtuar këtë datë duke vendosur kurora pranë lapidarit të luftës së Reçit.
    Pas vendosjes së kurorave kryetari i bashkisë Tonin Marinaj dhe përfaqësues të pushtetit vendor kanë kryer vizita në familjen e dëshmorit Rifat Nuzi për të cilin kanë shprehur vlerësimet maksimale për kontributin e tij të dhënë në luftn e Reçit.
    Në 73 vjetorin e luftës së Recit është mbajtur edhe një koncert artistik me pjesmarrjen e këngëtarëve nga treva e Malësisë.
    Në fjalën e tij para të pranishmëve kryebashkiaku Tonin Marinaj vlerësoi aktin heroik të Reçianëve kundër pushtuesve dhe shtoi se kontributi i tyre është një frymëzim për ne sot që të vazhdojmë në rrugën e zhvillimit për tu bërë pjesë e familjes së madhe europiane.
    Fjalimi i plotë i kryetarit të bashkisë Malësi e Madhe z.Tonin Marinaj
    Përshendetje të gjithëve!
    Dua të falenderoj dy figura të mëdha që gjatë gjithë këtyre viteve i kanë dhënë një kontribut të veçantë Malësisë së Madhe, Paulin Sterkaj dhe Shaqir Vukaj.
    Tashmë është bërë traditë të mblidhemi së bashku për çdo vit këtu në Reç për të nderuar veprën e atyre burrave dhe burrneshave që ranë heroikisht në luftë kundër pushtuesve për lirinë që gëzojmë sot.Lufta e Reçit e vitit 1943 është prova më e pakundërshtueshme e rezistencës së Reçit dhe mbarë Malësorëve tanë kundër pushtuesve fashistë.Të gjendur përballë këtij rreziku banorët e kësaj krahine të dalluar gjithmonë për atdhedashuri e trimëri u ngritën për të mbrojtur parimet dhe vlerat më të shenjta Shqiptare, duke mos kursyer edhe jetën e tyre , ndaj nderimi më i lartë shkon për dëshmorët e lirisë dhe familjet e tyre, e ndërsa ne na mbetet t’i kujtojmë brez pas brezi.Lufta e Reçit ishte një luftë e të gjithëve kundër fashistëve pa dallim feje, krahine e ideje. Ndaj të gjithë ata që nuk pranuan kurrë të bashkëpunojnë me pushtuesin por luftuan duke dhënë edhe jetën për lirinë e vendit dhe popullit të vet, nderuan veten, Reçin, Malësinë e Madhe dhe gjithë Shqipërinë.Akti më i lartë heroik është mbrojtja me nder e pragut të shtëpisë.Vlerësimi i të shkuarës na jep perspektive më të mirë për të ardhmën e kombit tone, ndaj sakrificat e të gjithë atyre që jetën nuk e llogaritën përpara lirisë së vendit e popullit tone na bëjnë të përulemi me respektin më të thellë.Pikërisht gjaku i tyre i derdhur për liri, çlirim kombëtar e demokraci na bëjnë krenarë e na japin energji për të qenë kurdoherë të bashkuar në drejtim të zhvillimit e përparimit të vendit duke mos humbur më kohë por të vazhdojmë rrugën e forcimit të demokracisë dhe integrimit në familjen e madhe europiane.
    Të mbledhur në ktë vend të bukur natyror të rrethuar nga gështenjat shekullore si për të treguar edhe historinë krenare dhe të pathyeshme të këtij fshati turistik, ndihem vërtetë i lumtur para jush që brenda 1 viti nga premtimi im po bëj realitet asfaltimin me të gjitha parametrat e duhura të rrugës së Reçit, ku siç e shikoni ajo është në fazën përmbyllëse të saj.
    Kjo rrugë si dhe investime të tjera që do sjellim në këtë zonë do u japi mundësi zhvillimi social-ekonomik e sidomos në fushën e turizmit të gjithë banorëve të zones së Reçit.Gjithashtu turistët vendas dhe të huaj do u mundësojnë njohjen me këtë perlë turistike e natyrore të Malësisë së Madhe.
    Duke ju falenderuar për praninë tuaj mirënjohja dhe lavdia u shkon dëshmorëve të luftës së Reçit.Mirënjohje e lavdi të gjitha familjeve malësore që me pushkë e penë në të gjitha kohërat lartësuan emrin e Malësisë së Madhe.
    Ju faleminderit të gjithëve!