Zyra në varësi

Ligji për Gjendjen Civile

Shërbimi i gjendjes civile është shërbim unik shtetëror. Ky shërbim, ushtrohet si funksion i deleguar edhe nga organet e qeverisjes vendore. Ai plotëson, përditëson dhe administron Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, mban aktet e gjendjes civile, lëshon çertifikata, si dhe kryen shërbime të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dokumentet bazë, që lëshon zyra e gjendjes civile, janë: a)  letërnjoftimi; b)  pasaporta; c)  çertifikata e lindjes; ç)  çertifikata martesore; d)  çertifikata e familjare; dh)  çertifikata e vdekjes.
Taksa e akteve dhe e pullës që lëshon zyra e gjendjes civile është:

  1. për lëshimin e çertifikatave të gjendjes civile 50 lekë,
  2. për lëshimin e çertifikatave të lindjes në gjuhë të huaj 200 lekë
  3. për lëshimin e çertifikatave për lidhje martese në gjuhë të huaj 200 lekë
  4. për rregjistrimin e dhënies së shtetësisë 2000 lekë
  5. për rregjistrimin e vendimit të ndryshimit të emrit ose mbiemrit 100 lekë
  6. për çdo lidhje martese 100 lekë

Deklarimi i  lindjes

Lindja e fëmijës deklarohet te nëpunësi i gjendjes civile nga prindërit, pjesëtarët madhorë të familjes, përfaqësuesit ligjorë ose kujdestarët, dhe, në pamundësi ose në mungesë të tyre, nga personat, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen. Deklarimi mund të bëhet edhe nga përfaqësues të nënës, me prokurë të posaçme.
Deklarimi i lindjes së fëmijës së gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, bëhet nga organet e njësisë së qeverisjes vendore, organi i rendit publik, në juridiksionin e të cilit ndodhet vendi i gjetjes, në bazë të procesverbalit të mbajtur në kohën e gjetjes së fëmijës.
Për fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë, me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në përfaqësitë diplomatike ose konsullore shqiptare, në vendin ku ka lindur. Kur kjo është e pamundur, regjistrimi bëhet edhe në shërbimin e gjendjes civile të atij vendi.


Deklarimi i vdekjes

Deklarimi i vdekjes bëhet nga çdo pjesëtar madhor i familjes ose nga personat më të  afërt të familjes dhe, në mungesë të tyre ose për personat pa njeri, nga i ngarkuari i posaçëm i bashkisës, në zyrën e gjendjes civile, ku shtetasi ka vendbanimin ose vendqëndrimin ose ku është gjetur kufoma. Deklarimet janë të vlefshme, kur shoqërohen me raport mjekësor. Deklarimi i vdekjes bëhet brenda 10 ditëve nga ndodhja ose gjetja e kufomës dhe brenda 60 ditëve, kur vdekja ka ndodhur jashtë shtetit. Moszbatimi I deklarimit të vdekjes përbën shkelje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 3000 lekë.


Ndryshimi i emrit dhe i  mbiemrit

Çdo shtetas mund të kërkojë ndryshimin e emrit ose të mbiemrit pranë zyrës së gjendjes civile ku ka vendbanimin. Kërkesa duhet të përmbajë arsyen/shkakun e ndryshimit të emrit/mbiemrit dhe emrin/mbiemrin e ri që kërkohet të merret. Kërkesa paraqitet personalisht mga kërkuesi në zyrën e gjendjen civile.
Kërkesa shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

  • vërtetimin e gjendjes gjyqësore
  • vërtetimin nga prokuroria se nuk është në ndjekje penale
  • vërtetimin nga gjykata se nuk është në proces gjyqësor
  • kopjen e letërnjoftimit
  • çertifikatën e lindjes dhe të përbërjes familjare
  • vërtetimin se nuk është marrë ndaj tij ndonjë urdhër dëbimi
  • vendimin gjyqësor, në rast të ndryshimit të merit apo mbiemrit në një vend tjetër.

Korrigjimi i emrit dhe mbiemrit

Çdo person, që ka interes për të korrigjuar emrin/mbiemrin e vet, për shkak të një gabimi të provuar material, të bërë gjatë transkriptimit të akteve të gjendjes civile, mund të paraqesë kërkesë pranë zyrës së gjendjes civile
Kërkesa shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

  • kopje e aktit të lindjes
  • çdo document tjetër që provon gabimin

Transferimi i të dhënave të gjendjeës civile

Regjistrimi fillestar i vendbanimit/adresës së banesës, si dhe  ndryshimi i vendbanimit/adresës së banesës, si rregull, bëhet në zyrën e gjendjes civile që ka në juridiksion territorial vendbanimin apo banesën e deklaruar. Transferimi i të dhënave të gjendjeës civile, në një zyrë tjetër të gjendjes civile bëhet me kërkesën e kryefamiljarit, i cili paraqet pranë zyrës së gjendjes civile të vendbanimit të ri këto dokumenta:

  • kërkesën me shkrim për rregjistrim në vendbanimin e ri
  • dokumentin e pronësisë së banesës ose  kontratë qiramarrje
  • vërtetimin e lëshuar nga administrator i njësisë administrative, ku ai shprehet se shtetasi banon në njësinë administrative përkatëse.

Akti  martesës

Akti i martesës është proçesverbali i mbajtur nga nëpunësi i zyrës së gjendjes civile në bashki ku pasqyrohet vullneti i përbashkët i bashkëshortëve të ardhshëm. Akti i martesës nënshkruhet nga bashkëshortët, në prani të jo më pak se dy dëshmitarëve. Martesa lidhet kur nëpunësi i gjendjes civile vërteton, pasi ka përfunduar proçedura e shpalljes së martesës (dhjetë ditë), identitetin e secilit prej bashkëshortëve.
Për lidhjen e martesës shetasi shqiptar duhet të paraqesë këto dokumenta:

  • çertifikatë lindjeje e lëshuar nga zyra e gjendjes civile, jo më pak se 15 ditë nga data në të cilën kërkohet të lidhet martesa, me shënimin për lidhje martese.
  • kartë identiteti

Martesa e shtetasit të huaj ose e personit pa shtetësi, që banon jashtë shtetit ose është banues i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, me shtetas shqiptar lidhet sipas dokumenteve të shtetit, shtetas i të cilit është ose ku ka banimin e përhershëm, të lëshuar jo më parë se tre muaj nga data që kërkohet të lidhet martesa. Dokumentat legalizohen në përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë jashtë shteti, ndërsa ato të lëshuara nga përfaqësitë e huaja të akredituara në Tiranë legalizohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.