Bogë

  • Bogë

    Bogë

    BOGË : 900-1000 m mbi nivelin e detit. Boga është një fshat i vogël alpin në njësinë Administrative Shkrel. Majat mbi 2000 m lartësi, ajri i pastër, uji i ftohtë, peisazhi alpin malor, masivet e pyjeve prej ahu e bredhi, bimët njëvjeçare që lulëzojnë në stinët e pranverës,verës dhe vjeshtës, flora dhe fauna e pasur, bimët endemike, kafshët e egra etj e bëjnë Bogën një atraksion të veçantë për tu vizituar.
    Lugina e Bogës ka formën e një rrethi ku malet që e rrethojnë formojnë kolona me lartësi mbi 2000 m. Disa nga malet që rrethojnë Bogën janë: Maja e Rrabës 2222 m, Mali i Çardakut 2250 m, Maja e Shtegut 2083 m që e lidhë me malin e Radohinës dhe malin e Arapit që e ndajnë Bogën nga Thethi.
    Boga ka shumë shpella dhe galeri nëntoksore të cilat shtojnë vlerat turistike sidomos për eksploratorë të apasionuar. Shpella e Puçit është shpella më e madhe në Shqipëri, ndodhet në të djathtë të majës së Çardakut. Kjo shpellë shkon deri në 200m thellësi vazhdon me një galeri të gjatë që shkon deri në 1 km dhe përgjatë saj gjenden disa puse ndërsa në fund të saj rrjedh edhe një përrua i vogël. Shpella të tjera të njohura: Shpella e Husit, shpella e Gjek Markut, Shpella e Zanave, Shpella e Madhe etj.
    Duke qenë afër me pikat e tjera turistike si Razma dhe Thethi, Boga është shumë e preferuar për paketat turistike. Ky fshat dhe zonat përreth njihen për prodhimet blegtorale, veprat artizanale, prodhimet e drurit etj. Gjithashtu në Bogë do të gjeni vlerat më të mira Shqiptare si: Mikpritja, Besnikëria dhe Bujaria. Në këtë fshat janë ndërtuar disa bujtina dhe hotele të cilat mirëpresin vizitorët e shumtë me kushte komode dhe ushimin bio tradicional.