Tamara

  • Tamara

    Tamara

    TAMARA: 235 m mbi nivelin e detit, është një fshat malor i vendosur në një gropë të thellë rreth 1000 metra poshtë majave të maleve. Shtrihet buzë lumit Cem duke i dhënë një pamje magjepsese. Tamara ndodhet rreth 46 km nga Kopliku dhe është pjesë e Njësisë Administrative Kelmend.
    Vitet e fundit Tamara është në top destinacionet kryesore në turizmin malor Shqiptar. Rruga që të çon drejt Tamares përveç infrastruktures moderne të ofron edhe një pamje mahnitëse të “Leqeve të Hotit” dhe “Ballkonit të Enverit” .
    Në Tamarë do t’ju jepet mundësia të shijoni qendrën e restauruar të fshatit me pedonalen dhe ndërtesat prej guri si dhe të shijoni ushqimet tradicionale të zonës veçanërisht troftën e egër të lumit Cem. Ata që kanë dëshirë dhe janë pak aventurierë, do të kenë mundësinë të notojnë dhe freskohen në ujin e kristaltë të lumit Alpin, Cemit.
    Masat e ngrohta ajrore nuk lejojnë ashpërsimin e klimës si në pjesët e tjera të Kelmendit. Në këtë fshat rrallë zë bora, ndonëse vendbanimi është në thellësi të maleve. Këtë gjë e tregon edhe bimësia, kryesisht mesdhetare me sherbelë e trumzë dhe dushqe të ndryshme, duke munguar ahu dhe pisha si drurë karakteristikë për luginat alpine.
    Temperaturat e freskëta,ajri i pastër, natyra e mrekullueshme, ushqimet bio të zones dhe kushtet e mira akomoduese janë arsye të mjaftueshme për të vizituar Tamaren.