• bashkiamalesiemadhe@hotmail.com

Vermoshi

  • Vermoshi

    Vermoshi

    VERMOSHI : 1100 m mbi nivelin e detit. Ndodhet në skajin më verior të Shqipërisë rreth 85 km larg nga Kopliku, në Njësinë Adminitrative Kelmend. Është fshati më i madh i Alpeve Shqiptare.

    Ky fshat është ngritur mbi një fushë malore me origjinë akullnajore mes për mes së cilës kalon lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit, i vetmi lumë në Shqipëri me rrjedhje të kundërt që derdhet në Danub. Në të dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Vermoshi shquhet për panoramën e tij si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit.

    Aktivitetet kryesore të cilat mund të zhvillohen në Vermosh janë ngjitjet malore në malësinë e Marlulës, shëtitjet në luginat e thella alpine, (të Lëpushës dhe Cemit), skitë në shpatet natyrore me dëborë, peshkimi sportiv i troftës, etj. Një aktivitet tjetër janë turet e biçikletave malore.

    Zona e Vermoshit është e përmendur për cilësinë lartë të bulmetrave si dhe për kultivimin e patates. Në Vermosh rriten mbi 30 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike si: boronica, mjedra, salepi, balsami, bliri, cermedeli, etj. Produktet e rralla dhe me famë këtu janë ato që përgatiten nga boronica dhe luleshtrydhja si dhe rakia e sanzës.

    Malet që qarkojnë luginën e Vermoshit dhe që arrijnë deri në 2000 m lartësi mbi nivelin e detit karakterizohen nga një faunë e pasur me kafshë të egra, si ariu i murrmë, kaprolli, ujku, derri, dhia e egër, shpendë të të gjitha llojeve, por sidomos ato të rrallat, shqiponja e malit dhe shkaba.

    Vermoshi është një vend i mrekullueshëm që ofron mundësi të mëdha për të kaluar sa më mirë pushimet me peizazhe mahnitëse dhe bukuri të rralla natyrore. Shërbehet në shtëpi private alpine, por dhe hotele e bujtina me ushqim bio të zonës. Akomodimi është ditor, javor e mujor për pushues vendas e të huaj.

    Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn