▶ FTESË E HAPUR PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT: ” TRASHËGIM BREZ PAS BREZI ”

  • ▶ FTESË E HAPUR PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT: ” TRASHËGIM BREZ PAS BREZI ”

    Bashkia Malësi e Madhe shpall ftesë të hapur për organizmin e projektit “Trashëgim brez pas brezi”.

    Përshkrimi i projektit:

    Projekti ka për qëllim krijimin e një ansambli folklorik me nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare të Malësisë së Madhe, ku të rinjtë do të mësojnë e ushtrojnë valle, këngë, instrumente popullore, si dhe doke e rituale të lashta të zonës. Projekti synon të zgjojë tek brezat e rinj dashurinë për trashëgiminë kulturore dhe ta transmetojë atë brez pas brezi.

    Qëllimi i projektit:

    • Të ruhet dhe promovohet trashëgimia kulturore materiale dhe jomateriale e Malësisë së Madhe.
    • Të përfshihen të rinjtë në aktivitete kulturore që forcojnë identitetin dhe lidhjen me traditat.
    • Të krijohet ansambël folklorik i Malësisë së Madhe, i gatshëm dhe i aftë profesionalisht, për të na përfaqësuar në aktivitetet tona lokale, rajonale, kombëtare por edhe ndërkombëtare.

    Aplikimi:

    1. Të drejtën për të aplikuar e kanë:
    2. a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko-kulturore;
    3. Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
    4. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Malësi e Madhe. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

    Nuk mund të aplikojnë:

    Personat juridikë publikë që përfaqësojnë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, qëndrore ose vendore, që vetfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

    Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

    Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 10.09.2025

    Data e fundit e aplikimeve 25.09.2025

    Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Malësi e Madhe do të mblidhet me datën 26.09.2025

    Shpallja e fituesit do të bëhet me datë 29.09.2025

    Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Malësi e Madhe.

    Dorëzimi i dokumentacionit:

    Aplikuesit duhet të dorëzojnë në dy kopje origjinale dhe dy fotokopje projektin dhe dokumentat e tjera të kërkuara tek Zyra e Protokollit, pranë Bashkisë Malësi e Madhe, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.

    Fondi limit me TVSH është 1,000,000 lekë.

    Fondi limit pa TVSH është  833,333 lekë.

    Realizimi i projektit duhet të mbyllet brenda vitit 2025.

    Kriteret e kërkuara:

    Operatori që merr përsipër realizimin e projektit ”Trashëgim brez pas brezi”, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve dhe projekteve të këtij lloji.

    Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla.

    Vlerësohet cilësia artistiko – kulturore e projektit.

    Operatori duhet të ketë kapacitet profesional: staf ose bashkëpunëtorë me njohuri në fushën e folklorit, muzikës, valleve apo ritualeve tradicionale.(koreografë, instrumentistë, muzikantë, etj)

    Specifika të tjera për organizimin e projektit “Trashëgim brez pas brezi”

     

    1. Subjekti të marrë përsipër formimin e një ansambli folklorik profesional me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Malësisë së Madhe.
    2. Të krijojë një repertor me valle, këngë dhe melodi nga instrumente tradicionale, të cilat do të mësohen dhe interpretohen nga ansambli folklorik. (Repertori të mbrojë të drejtat e autorit si dhe repertori të jetë në formë të shkruar dhe të regjistruar në studio profesionale në audio/video)
    3. Të bashkëpunojë me shkollat dhe komunitetin lokal për të angazhuar sa më shumë nxënës dhe të rinj.
    4. Të përzgjedhë nxënës të talentuar nga gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare.
    5. Të zhvillojë ushtrime disa herë në javë për vallet tradicionale të Malësisë së Madhe dhe ato me karakter kombëtar.
    6. Të zhvillojë ushtrime të rregullta javore vokale për këngët epike dhe lirike.
    7. Të zhvillojë mësime të rregullta javore për instrumentet popullore (çifteli, lahutë, fyell etj.).
    8. Të bëjë të mundur organizimin e një aktiviteti përmbyllës “Koncert Artistik”, ku ansambli do të performojë para komunitetit repertorin e përgatitur përgjatë muajve të praktikës.
    9. Aktiviteti final të jetë i mirëorganizuar: me libret, moderator, foni profesionale, ndriçim, karrige për të ftuarit dhe publikun dhe elementë të tjerë të nevojshmëm për shfaqje artistike. (Grupi artistik dhe Ansambli duhet të paraqiten me veshje kombëtare dhe tradicionale të zonës sonë.)
    10. Dokumentimi me foto/video i gjithë procesit dhe shfaqjes finale.

     

    Shënim: Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes banerave, mediave sociale, reklamave televizive etj. në koordinim me Drejtorinë e Kulturës, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Malësi e Madhe.

    Subjekti në bashkëpunim dhe me miratimin e Drejtorinë së Kulturës të zgjedhë emrin dhe simbolin e Ansamblit.

    Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë e Kulturës. Subjekti në përfundim të projektit të sjellë materiale foto/video, përgjatë gjithë procesit të zhvillimit të këtij projekti.