Ligji mbi barazinë gjinore

  • Ligji mbi barazinë gjinore

    LIGJ Nr.9970, datë 24.7.2008 PËR BARAZINË GJINORE NË SHOQËRI Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

    PJESA I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

     

    Neni 1 Objekti Ky ligj rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në jetën publike, të mbrojtjes dhe trajtimit të barabartë të grave e burrave, për mundësitë dhe shanset e barabarta për ushtrimin e të drejtave, si dhe për pjesëmarrjen e ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

    Neni 2 Qëllimi Qëllimi i këtij ligji është: a) të sigurojë mbrojtje efikase nga diskriminimi për shkak të gjinisë dhe nga çdo formë sjelljeje, që nxit diskriminimin për shkak të gjinisë; b) të përcaktojë masa për garantimin e mundësive të barabarta ndërmjet grave e burrave, për të eliminuar diskriminimin e bazuar në gjini, në çfarëdo forme me të cilën shfaqet; c) të përcaktojë përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore, qendrore dhe vendore, për të hartuar dhe zbatuar aktet normative, si dhe politikat që mbështesin zhvillimin dhe nxitjen e barazisë gjinore në shoqëri.

     

    Neni 3 Parimet themelore 1. Ky ligj bazohet në parimin e barazisë e të mosdiskriminimit dhe në parimet e tjera, të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga konventa “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas”, si dhe nga të gjitha aktet e tjera ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. 2. Dispozitat e këtij ligji nuk duhet të interpretohen apo zbatohen në mënyrë që të kufizojnë apo reduktojnë garancitë për arritjen e barazisë gjinore, të shprehura në aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, acquis communautaire të Bashkimit Europian, konventa “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas”.

     

    Neni 4 Përkufizime Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Barazi gjinore” është pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe e meshkujve në të gjithat fushat e jetës, pozita e barabartë ndërmjet tyre, mundësi e shanse të barabarta, për të gëzuar të drejtat dhe për të përmbushur detyrimet në shoqëri, duke përfituar njëlloj nga arritjet e zhvillimit të saj. 2. “Përkatësi gjinore” janë mundësitë dhe atributet shoqërore, të lidhura me të qenit femër apo mashkull, si dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. 3. “Diskriminim për shkak të gjinisë” është çdo dallim, përjashtim ose kufizim mbi baza gjinore, që ka për qëllim ose për pasojë dëmtimin, mosnjohjen, mosgëzimin dhe mosushtrimin, në mënyrë të barabartë, nga secila gjini, të të drejtave të njeriut dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligje, në fushat politike, ekonomike, shoqërore, kulturore e civile. 4. “Integrim gjinor” është procesi që zhvillohet ndërmjet femrave dhe meshkujve, si një proces që nuk i përket vetëm njërës gjini si grup i veçuar, por shoqërisë në tërësi. Si i tillë, integrimi gjinor është rruga për arritjen e barazisë gjinore në shoqëri, nëpërmjet përfshirjes së perspektivës së secilës nga gjinitë në të gjitha proceset ligjvënëse, politikëbërëse, planifikuese, zbatuese e monitoruese. 5. “Përfaqësim i barabartë gjinor” është përfaqësimi i secilës prej gjinive me jo më pak se 30 për qind në një institucion, në nivel drejtues, organ të emëruar, parti politike. 6. “Masa të veçanta të përkohshme” janë masat e ndërmarra nga organet shtetërore, që synojnë përshpejtimin e vendosjes së barazisë faktike ndërmjet femrave dhe meshkujve në shoqëri. 7. “Nëpunës që merret me çështjet e barazisë gjinore” është punonjësi i administratës publike, qendrore apo vendore, i cili ka formim dhe njohuri të posaçme në fushën e barazisë gjinore dhe ia kushton kohën e punës arritjes së barazisë gjinore dhe integrimit gjinor në sektorin apo territorin që mbulon. 8. “Punë me vlerë të barabartë” është veprimtaria e paguar, e cila, e krahasuar me të njëjtët tregues ose njësi matëse të një veprimtarie tjetër, pasqyron njohuritë e ngjashme ose të barabarta dhe aftësitë profesionale në realizimin e një sasie të barabartë dhe të përafërt të përpjekjeve fizike e intelektuale. 9. “Ngacmim për shkak të përkatësisë gjinore” është çdo formë sjelljeje e padëshiruar, që lidhet me gjininë e një personi dhe ka për qëllim dhe/ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal ose krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes. 10. “Shqetësim seksual” është çdo formë e padëshiruar sjelljeje, e shprehur me fjalë ose veprime fizike dhe simbolike, me natyrë seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal, në mënyrë të veçantë kur krijon një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes.

     

    Neni 5 Zbatimi i ligjit 1. Ky ligj mbron nga diskriminimi për shkak të gjinisë të gjithë personat, që jetojnë dhe qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. 2. Shtetasit shqiptarë, me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, gëzojnë mbrojtjen, që ofron ky ligj, në marrëdhëniet me organet shtetërore shqiptare. 3. Personat fizikë e juridikë të huaj, me banim, vendqëndrim apo seli jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, gëzojnë mbrojtjen, që ofron ky ligj, në marrëdhëniet me organet shtetërore shqiptare.

     

    Neni 6 Ndalimi i diskriminimit për shkak të gjinisë 1. Çdo trajtim më pak i favorshëm i një personi për shkak të gjinisë, në krahasim me trajtimin që i bëhet, i është bërë ose do t’i bëhej një personi të gjinisë tjetër, në një situatë të ngjashme, përbën diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të gjinisë dhe ndalohet. 2. Hartimi, zbatimi, nxitja dhe krijimi i dispozitave, kushteve, kritereve apo praktikave, në dukje neutrale, por që sjellin vendosjen në një situatë më pak të favorshme të një personi të njërës gjini, krahasuar me personat e gjinisë tjetër, përbën diskriminim të tërthortë për shkak të gjinisë dhe ndalohet. Nga ky ndalim bëjnë përjashtim rastet kur këto dispozita, kushte, kritere apo praktika justifikohen nga një qëllim i përligjur dhe mjetet apo rrugët për arritjen e këtij qëllimi janë të nevojshme dhe të përshtatshme.

     

    Neni 7 Masat e nevojshme për sigurimin e barazisë gjinore Për sigurimin e barazisë gjinore dhe eliminimin e diskriminimit për shkak të gjinisë, organet shtetërore, në bazë të kompetencave të tyre: 1. Sigurojnë, përmes masave legjislative ose me mjete të tjera të përshtatshme, zbatimin praktik të parimit të barazisë gjinore. 2. Sigurojnë, përmes masave legjislative ose me mjete të tjera të përshtatshme, të shoqëruar edhe me sanksione, kur është rasti, ndalimin e çdo diskriminimi për shkak të gjinisë. 3. Sigurojnë, përmes rregullimeve ligjore dhe nënligjore ose me mjete të tjera të përshtatshme, ndryshimin ose shfuqizimin e çdo akti ligjor, zakoni apo praktike, që përbën diskriminim për shkak të gjinisë. 4. Marrin të gjitha masat e përshtatshme, për të krijuar lehtësitë e nevojshme e të përligjura objektivisht, për mundësi të barabarta dhe akses të barabartë për të dyja gjinitë. 5. Sigurojnë, përmes institucioneve publike dhe gjykatave kombëtare, mbrojtjen efektive të të dyja gjinive ndaj çdo veprimi diskriminues.

     

    Neni 8 Masat e veçanta të përkohshme 1. Masat e veçanta të përkohshme përfshijnë kuotat për të arritur përfaqësim të barabartë gjinor, rritjen e pjesëmarrjes së gjinisë më pak të përfaqësuar në vendimmarrje dhe në jetën publike, fuqizimin ekonomik dhe të pozitës së personave të secilës gjini në fushën e punës, përmirësimin në mënyrë të barabartë të nivelit arsimor, si dhe masa të tjera në çdo fushë, ku personat e njërës gjini nuk gëzojnë pozitë të barabartë me personat e gjinisë tjetër. 2. Nuk përbëjnë diskriminim për shkak të gjinisë rastet kur organet shtetërore marrin masa të veçanta të përkohshme, përfshirë edhe dispozita ligjore, që synojnë përshpejtimin e vendosjes së barazisë faktike ndërmjet femrave dhe meshkujve. Këto masa duhet të pushojnë së ekzistuari sapo të jenë arritur objektivat e barazisë gjinore, për të cilat janë krijuar.

     

    Neni 9 Masat e veçanta Nuk përbëjnë diskriminim për shkak të gjinisë rastet kur shteti merr masa të veçanta, përfshirë edhe dispozita ligjore, që synojnë: a) mbrojtjen e posaçme të grave gjatë shtatzënësisë dhe lindjes, të nënave të reja, si dhe të prindërve të rinj, për shkak të lindjes natyrore ose të adoptimit të fëmijës, duke krijuar kushte për mbrojtjen dhe lehtësimin e tyre në punë; në sigurimet shoqërore e ndihmat sociale; në sigurimin e ndihmës së nevojshme shëndetësore për nënën dhe fëmijën; në sigurimin dhe nxitjen e sistemit të shërbimeve sociale, duke favorizuar zhvillimin e rrjetit të çerdheve e kopshteve; b) lehtësimin e ndihmën për personat, që kanë përgjegjësi të veçanta në familje, për shkak të përkujdesjes së përditshme ndaj anëtarëve të paaftë të familjes, për shkak të moshës, paaftësisë fizike apo mendore ose për shkaqe të tjera paaftësie. c) kufizimet për të punuar në disa sektorë të punëve të rënda dhe të rrezikshme për gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji. Këto kufizime do të rishikohen periodikisht, në varësi të njohurive shkencore e teknike dhe sipas nevojave që paraqiten.