-
- 02 May
Thirrje për aplikime- “Dita e Bimëve Medicinale”
Bashkia Malësi e Madhe shpall ftesë të hapur për organizmin e aktivitetit “Dita e Bimëve Medicinale”.
Përshkrimi i projektit:
Malësia e Madhe është e njohur për kultivimin, grumbullimin dhe përpunimin e bimëve medicinale – aromatike. Ky aktivitet synon të promovojë dhe vlerësojë këtë sektor të rëndësisëm, i cili është kthyer në një shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik të familjeve të përfshira në këtë sektor dhe të zonës në përgjithësi. Qëllimi kryesor është rritja e bashkëpunimit ndërmjet kultivuesit, grumbulluesit dhe përpunuesit të këtyre bimëve, duke krijuar edhe një grup këshillues, i cili përfaqëson interesat më të mira të fermerëve tek autoritetet qendrore e vendore, duke sugjeruar politika dhe alternativa të dobishme që zhvillojnë këtë sektor të rëndësishëm ekonomik.
Përveç impaktit socio-ekonomik, parcelat me bimë medicinale dhe aromatike, janë kthyer edhe në një atraksion turistik.
- Aktivitetet kryesore:
Aktivitetet kryesore që do të zhvillohen tek “Dita e Bimëve Medicinale” janë:
* Panair i bimëve medicinale dhe nënprodukteve të tyre, si dhe punimeve artizanale si: buqeta me lule, produkte handmade, vajra esencialë etj.
* Konferencë me fermerë, grumbullues dhe përpunues të bimëve medicinale dhe përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor si dhe faktor të tjerë të rëndësishëm në zhvillimin e këtij sektori.
* Koncert artistik
* Shëtitje me biçkleta përgjatë parcelave të mbjella me bimë medicinale.
* Relax në natyrë (Yoga dhe meditim)
- Qëllimi i projektit:
- Promovimi i potencialit bujqësor të bashkisë Malësi e Madhe.
- Nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit mes fermerëve, grumbulluesve dhe përpunuesve të bimëve medicinale.
- Edukimi i pjesëmarrësve për rëndësinë, përdorimin dhe impaktin socio-ekonomik që ka kultivimi dhe përpunimi i bimëve medicinale-aromatike për zonën.
- Promovimi i tokave të mbjella me bimë medicinale-aromatike si atraksion turistik, ku shumë turistë vendas dhe të huaj vijnë për të eksploruar, për të bërë video dhe foto pranë këtyre tokave dhe për të rritur larmishmërinë dhe destinacionet që mund të vizitohen në Malësinë e Madhe.
- Argëtimi i banorëve dhe turistëve.
Aplikimi:
- Të drejtën për të aplikuar e kanë:
- a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko-kulturore;
- Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Malësi e Madhe. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.
- Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
Nuk mund të aplikojnë:
Personat juridikë publikë që përfaqësojnë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, qëndrore ose vendore, që vetfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.
Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:
Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 02.05.2024
Data e fundit e aplikimeve 23.05.2024
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Malësi e Madhe do të mblidhet me datën 24.05.2024
Shpallja e fituesit do të bëhet me datë 24.05.2024
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Malësi e Madhe.
Dorëzimi i dokumentacionit:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentat e tjera të kërkuara tek Zyra e Protokollit, pranë Bashkisë Malësi e Madhe, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.
Fondi limit është 1.300.000 lekë
Data e organizimit të aktivitetit është data 1 qershor 2024, mund të shtyhet në rast se parashikohet mot me reshje dhe stuhi.(Shtyrja e datës ose planifikimi i një date tjetër bëhet vetëm nga Drejtoria e Kulturës, Arsimit, Sportit, Shëndetësisë, Turizmit dhe Rinisë pranë bashkisë Malësi e Madhe.)
Kriteret e kërkuara:
Operatori që merr përsipër realizimin e këtij aktiviteti, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve promovuese, turistike, kulturore etj.
Operatori duhet të ketë në CV-në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla;
Operatori duhet të ketë bashkëpunime artistike të nivelit të lartë.
Specifika të tjera për organizimin e aktivitetit “Dita e Bimëve Medicinale”:
- Aktiviteti do të zhvillohet me 8 qershor 2024 me një programacion të larmishëm të shtrirë përgjatë ditës.
- Oraret e preferuara nga ora 10:00 – 19:00;
- Subjekti, në koordinim me Drejtorinë e Kulturës në Bashkinë Malësi e Madhe, duhet të përzgjedhë vendet ku do të zhvillohen aktivitetet;
- Subjekti të marrë përsipër realizimin e panairit me bimë medicinale dhe nënprodukteve të tyre, si dhe punimeve artizanale si: buqeta me lule, produkte handmade, vajra esencialë etj. Meqenëse data e organizimit është me 1 qershor në ditën e fëmijëve, subjekti të krijojë një kënd argëtues dhe edukativ për fëmijët, duke nxitur krijimtarinë e tyre në përdorimin artistik të bimëve medicinale përmes punimeve handmade, artit të pikturës, etj.
- Të bëjë të mundur realizimin e këndit relaksues, me instruktor yoge apo ushtrimesh të tjera. Të marrë masat për mjetet që duhen për realizimin e këtij shërbimi.
- Të vërë në dispozicion të paktën 10 biçikleta për ata që duan të eksplorojnë fushat e mbjella me bimë medicianle-aromatike.
- Të realizojë në kohë ftesat dhe të bëjë gati ambientet dhe elementë të tjerë që duhen për realizimin e konferencës me fermërë, grumbullues, përpunues dhe përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor. Salla e konferencës të jetë e përshtatshme, të ketë foni, filmim etj.
- Subjekti duhet të realizojë një koncert festiv me DJ, muzikë live dhe këngëtarë të njohur të skenës por edhe këngëtar të zonës, si dhe moderator me eksperiencë në drejtimin e aktiviteteve. Skena e koncertit duhet të jetë jo më e vogël se përmasat 4 x 3, ndriçim profesional, ekran led wall, fonia e përshtatshme për muzikë LIVE dhe për ambient të hapur.
- Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes banerave, reklamave video etj. në koordinim me Drejtorinë e Kulturës në Bashkinë Malësi e Madhe.
- Është e detyrueshme që krejt aktiviteti i “Ditës së Bimëve Medicinale” të mbulohet me fotografi dhe filmim profesional me cilësi 4 K, gjithashtu të realizohen 10 video të shkurtëra dhe profesionale të përshtatshme për t’u publikuar në rrjetet sociale të bashkisë Malësi e Madhe.
Shkarko dokumentet e mëposhtme:
Preventiv për zërat që mbulon bashkia